Shqiperia Ime!

Parajsa e Shqiperise.

*KUJDES: OFFLINE! NDODHEMI NE WWW.ALBPARAJSA.COM New look!

 

Parajsa e Shqipėrisė ©2010

michael jackson vip

VIP
Michael Jackson dhe Fredi Merkuri, ''Nje kryeveper qe nuk u krye kurre''
Mund të ishte disku më i bukur i historisë, por mbreti i pop-it dhe Fredi Mërkuri nuk arritën ta përfundonin. Ja prapaskenat e ditës kur dy legjendat e muzikës kënduan së bashku "Dukeshin si dy fëmijë në një kënd lojërash: t‘i shihje bashkë në studion e regjistrimit, ishte një spektakël i mrekullueshëm. Flisnin me duar e me këmbë, i drejtonin duart nga qielli dhe shkriheshin së qeshuri kur njëri prej tyre ngatërronte ndonjë notë". Këta të dy ishin Fredi Mërkuri dhe Majkëll Xhekson, artistë të mëdhenj, por meshkuj të brishtë, që jeta u dha gjithçka dhe më pas ua mori të gjitha. Mbi takimin e tyre dhe këngët e regjistruara në shtëpinë diskografike të mbretit të pop-it, ka mbetur vetëm dëshmia e Peter Friston, asistentit personal të Fredi Mërkurit, i vetmi që i ka dëgjuar drejtpërsëdrejti këngët e asaj cd-je që nuk u publikua asnjëherë. "Kur mora vesh për vdekjen e Majkëllit, më ngriu gjaku. Nga ai njeri kujtoj përzemërsinë, buzëqeshjen, zërin e hollë dhe një ndeshje në videogame, e ngjashme me atë të tenisit. Fredi ishte mbyllur në banjë dhe nuk po dilte. Kështu Xheksoni më tha: ‘A bëjmë një ndeshje? Unë jam lojtari i bardhë, ndërsa ti i ziu‘". Në mes të viteve ‘80, Majkëlli ishte një yll, një njeri shumë i famshëm për të bërë një jetë normale. Por lëkurën e kishte ende të zezë, ilaçet me bazë opiumi nuk e kishin dhënë ende efektin, ndërsa trupi nuk kishte provuar ende 13 operacionet e vështira plastike. "Duke kënduar njëra pas tjetrës këngët, Majkëlli filloi të na tregonte se si kërcente duke zvarritur këmbët. Po e përshkruaj me dy fjalë: ashtu si në skenë, edhe para nesh dha një spektakël. Fredi e shihte dhe filloi të qeshte. Ata që e njihnin mirë, do ta kuptonin menjëherë atë buzëqeshje, e cila "thoshte": ‘E këndshme, por nuk bën për mua‘. Më pas Fredi ndezi një cigare, por duke qenë se në shtëpinë e Majkëllit ishte e ndaluar, ai e shoi menjëherë dhe mori në dorë një gotë qumësht". Merkuri dhe Fristoun kishin ardhur në Enkino, në veri të Kalifornisë, në orët e para të mëngjesit. Vila e familjes Xhekson ruhej 24 orë në 24 nga disa roje. Pasi i kaluam kontrollet e sigurisë, Xheksoni na priti me nderime në shtëpi. Por para xhiros në 60 dhomat e shtëpisë së tij, na ftoi të shihnim të ftuarit e kopshtit zoologjik: "Bëmë disa hapa në kopshtin zoologjik. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e Fredit atë ditë. Ishte zverdhur në fytyrë, mesa duket nuk po i pëlqente shëtitja mes kafshëve. Iu desh të përkëdhelte një lamë dhe t‘i thoshte një fjalë të ëmbël. Ishte frikësuar sepse kujtonte se nga momenti në moment do t‘i vërsulej ndonjë kafshë. Ishte moment vërtet gazmor të shihje Fredin që ecte në majë të gishtave për të mos u bërë pis dhe që qëndronte larg kafshëve, ndërkohë që Majkëlli vazhdonte t‘i thoshte se ato krijesa ishin pjesë e familjes. Më kujtohet që filluam të qeshnim me të madhe, por ato ishin fjalët e një njeriu jashtëzakonisht të vetmuar", kujton Fristoun. Për të mos u ndjerë vetëm, Majkëlli ishte i rrethuar nga kafshë e nga sende të ndryshme. Kishte blerë edhe katalogun (47,5 milionë dollarë) e këngëve të bandës muzikore më popullore të të gjitha kohërave, "Beatles", një minierë ari që Xheksoni e përdorte për të paguar borxhet e grumbulluara ndër vite. "Një njeri që flinte në një dhomë të madhe muze, në muret e së cilës kishte varur disqet e arta dhe të platinit që i kish fituar me albumet e tij", kujton Fristoun. Ishte një Majkëll i çuditshëm, i paparashikueshëm, një Piter Pan i vërtetë, krejt ndryshe nga 15 vitet e fundit të jetës, që pinte pafund antidepresivët që i këshillonin mjekët, apo që programonte 50 koncerte në Londër pa marrë parasysh trupin e tij jashtëzakonisht të dobët dhe problemet që kishte me mushkëritë. "Ai që kam njohur unë ishte një personazh tekanjoz, por plot jetë. Atë ditë hëngri pak fruta, ndërsa Fredi, që gjithmonë ishte kundër çdo lloj diete, shijonte mishin e pjekur me fasule. Që tek e ngrëna mund të dalloheshin karakteret e tyre se sa të kundërt ishin. Të përbashkët kishin vetëm dashurinë e jetës: muzikën", kujton Fristoun. Ishte pikërisht muzika arsyeja që Majkëlli dhe Fredi kishin gjetur pak kohë të lirë në axhendën e tyre jashtëzakonisht të ngjeshur. "Kënga e parë që regjistruan së bashku kishte një mënyrë të kënduari shumë ritmike. Në fakt, në studio mungonte një baterist, kështu Majkëlli u drejtua nga unë dhe më kërkoi të mbaja kohën duke përplasur dorën në derën e banjës. Për 5 minuta vazhduan kështu. Ishte një skenë e jashtëzakonshme: yjet më të mëdhenj të muzikës po këndonin të lumtur duke e mbajtur ritmin me derën e banjës. Kur dëshironte të dëgjonte një tingull, Majkëlli ishte i gatshëm për gjithçka". Ja si shprehet Steve Likather, kitaristi i grupit "Toto", që Majkëlli e mori për këngën e famshme "Beat it": "Një të diel, në orën katër të mëngjesit ra telefoni. Nga ana tjetër e receptorit foli një zë i hollë: ‘Stiv, jam Majkëlli. Dua të dëgjosh një këngë, që është perfekte për kitarën tënde magjike‘. Dhe unë që mendova se ishte shaka, iu përgjigja: ‘Ik ore...! Kushdo që të jesh, nuk arrin dot ta imitosh Majkëllin‘. Por në fakt ishte ai. Pastaj e mora në telefon. Prisja ndonjë fjalë prej tij, por ai vetëm qeshte". "There must be more life to than this", ky do të ishte titulli i këngës që do të dominonte për muaj me radhë klasifikimet botërore të muzikës, nëse Majkëlli dhe Fredi do të kishin arritur ta publikonin. "Fredi, së bashku me Majkëllin menduan ta këndonin. Nuk kishin një tekst të përshtatshëm, por Majkëlli e improvizoi të gjithën. Një këngë e tillë lind një herë në 20 vjet. Nëse do të publikohej me emrat dhe zërat e tyre, do të kishte hyrë në histori, por fati i kish rezervuar një tjetër fund". Dy yje, një fat Fredi Mërkuri vdiq 45 vjeç nga SIDA, më 24 nëntor të vitit 1991. Majkëll Xhekson u largua nga jeta më 25 qershor të 2009-ës, në moshën 50-vjeçare. Dy yjet e muzikës nuk i publikuan kurrë disa këngë të kënduara së bashku në mesin e viteve ‘80